Një rast i tmerrshëm ka ndodhur të shtunën në klinikën private “AAR Logo Plus” në Gjilan, ku doktori Iljasa Fazliu, defektolog i Logopedisë, po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije me autizëm. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një vajzë 3-vjeçare, teksa po e trajtonte në këtë qendër. Arrestimi i tij erdhi pasi i njëjti fillimisht u sulmua nga prindi i fëmijës, i cili e akuzoi për keqtrajtim të vajzës së tij me autizëm. Ndaj tij tashmë Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë dhe së shpejti i njëjtit pritet të dalë para Gjykatës.
Masa të cilën Prokuroria ka kërkuar që t’i caktohet Fazliut është paraburgimi, duke vlerësuar se asnjë masë tjetër nuk e duhur për shkak të rrethanave dhe veprës për të cilën po dyshohet i njëjti.
Gazeta Sinjali ka siguruar detaje nga dosja e Prokurorisë në lidhje me këtë rast?
Logopedi Iljasa Fazliu, i cili banon në Prishtinë dhe me profesion është defektolog – logoped, që ushtron detyrën e shefit të shërbimit të Logopedisë në QKUK po dyshohet se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. Ai rrezikon të dënohet me 1 vit burgim, por në rast se gjendja e viktimës përkeqësohet, atëherë mund të dënohet me jo më shumë se 3 vjet burgim.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, duke vlerësuar se është përmbushur kushti themelor që ka të bëjë me ekzistimin e dyshimit të bazuar, se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.
Ai po dyshohet se gjatë ditës së djeshme, në cilësinë e mjekut “ka përdorur metodë të papërshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijës me autizëm, ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, duke i bërtitur me tone të larta “ik.. ik atje, ti koke budallicë, ta q* bota nanën” dhe fjalë të tjera, duke mos iu përmbajtur kështu parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, me ç’rast kanë ndikuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijës”.
Prandaj, Prokuroria ka kërkuar që ai bashkë me dy të dyshuarit që e kanë sulmuar të dërgohet në paraburgim, pasi raportet mes tyre janë aq të acaruara dhe nëse të njëjtit lihen në liri mund ta përsërisin veprën, ose të kryejnë vepër tjetër me pasojë edhe më të rënda.
Rrahja e mjekut që i parapriu arrestimit
Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive të rrahjes së mjekut, në lokalin Metro, në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, dje pasdite, ku shihet se si sulmohet nga dy të dyshuarit e tjerë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit për sulm ndaj mjekut janë Isak Shala dhe Rilind Vllasaliun. Ata janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Ndryshe, nga SHSKUK kanë deklaruar se me të parë lajmin kanë kërkuar nga drejtori i Klinikës së Otorinolarongologjisë, nën menaxhimin e së cilës klinikë është Shërbimi i Logopedisë, që të procedojë me ndërmarrjen e masave konform legjislacionit në fuqi.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me të parë publikimin në medie, për rastin që ka ndodhur jashtë institicionit të QKUK-së, e për të cilin nuk kemi qenë të informuar, ka kërkuar nga drejtori i Klinikës së Otorinolarongologjisë, nën menaxhimin e së cilës klinikë është Shërbimi i Logopedisë, që të procedojë me ndërmarrjen e masave konform legjislacionit në fuqi” – thanë nga drejtoria e SHSKUK.
Detajet për këtë rast të rëndë i gjeni në linqet e mëposhtme:
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.