image Arrestimi i mjekut që dyshohet se abuzoi me 5 vjeçaren, flasin nga SHSKUK
[wp-story id="814678"]

Shëndetësi

Arrestimi i mjekut që dyshohet se abuzoi me 5 vjeçaren, flasin nga SHSKUK

news image

Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një klinikë private në Gjilan, ku doktori Iljasa Fazliu, defektolog i Logopedisë, po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije me autizëm. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një 5-vjeçare, teksa po e trajtonte në qendrën rehabilituese defektologjiko-logopedike AAR LOGO PLUS.  Arrestimi i tij erdhi pasi i njëjti fillimisht u sulmua nga prindi i një fëmije, i cili e akuzoi për keqtrajtim të vajzës së tij me autizëm.

Në lidhje me rastin kanë reaguar dhe nga drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ku thuhet se me të parë lajmin kanë kërkuar nga drejtori i Klinikës së Otorinolarongologjisë, nën menaxhimin e së cilës klinikë është Shërbimi i Logopedisë, që të procedojë me ndërmarrjen e masave konform legjislacionit në fuqi.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me të parë publikimin në medie, për rastin që ka ndodhur jashtë institicionit të QKUK-së, e për të cilin nuk kemi qenë të informuar, ka kërkuar nga drejtori i Klinikës së Otorinolarongologjisë, nën menaxhimin e së cilës klinikë është Shërbimi i Logopedisë, që të procedojë me ndërmarrjen e masave konform legjislacionit në fuqi” – thanë nga drejtoria e SHSKUK.

Sulmi ndaj tij u bë sebep që Policia ta arrestojë të njëjtin dhe pas shoqërimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ai do të hetohet për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor“.

Fazliu është edhe ushtrues i detyrës së shefit të shërbimit të Logopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pozitë kjo të cilën e kishte marrë në shtator të këtij viti.

Vepra për të cilën mjeku Fazliu do të hetohet sanksionohet me Kodin Penal të Republikë së Kosovës dhe dënohet edhe me burgim.

“Mjeku, stomatologu ose punonjësi tjetër shëndetësor, i cili me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përdor haptas një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit ose në ndonjë mënyrë tjetër haptazi nuk i zbaton rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor ose haptazi vepron në mënyrë të pakujdesshme, duke shkaktuar kështu keqësimin e sëmundjes ose dëmtimin shëndetësor të personit tjetër, dënohet me burgim me jo më shumë se një (1) vit.”, thuhet në nenin 254.

Arrestimi dy të dyshuarve që e sulmuan mjekun

Dy të dyshuarit e arrestuar për sulm ndaj personit zyrtar, e kanë sulmuar mjekun e dyshuar në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, duke e grushtuar të njëjtin, derisa ishte jashtë detyrës, në një kafene në atë zonë.

Akuzat se mjeku e ka maltretuar fëmijën e të dyshuarit, derisa po e trajtonte e ka bërë babain e tij që bashkë me një person tjetër ta sulmojnë fizikisht, për çka përfunduan në pranga të Policisë.

Posa të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin, teksa një version të ngjarjes e ka dhënë edhe mjeku. Me t’u përfunduar të gjitha procedurat, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e dy të dyshuarve, teksa ka urdhëruar nisjen e hetimeve që zbardhin rrethanat e ngjarjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/