image Ia zuri pritën dhe e ngacmoi një vajzë të mitur, arrestohet një person në Prizren
[wp-story id="814678"]

Siguri

Ia zuri pritën dhe e ngacmoi një vajzë të mitur, arrestohet një person në Prizren

news image

Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sidomos të atyre në rrjete sociale e rrugë. Burra të moshave të ndryshme ngacmojnë me fjalë e veprime të ndryshme të cilat krijojnë shqetësim te gjinia femërore. E viktima shpesh herë dalin të jenë edhe vajzat e mitura, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot gjatë ditës në qytetin e Prizrenit, ku një person dyshohet se në mes të rrugës i ka zënë pritën një vajze të mitur.

Sinjali mëson se viktima ishte duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi, kur përgjatë rrugës ‘William Walker’ ka hasur në të dyshuarin, i cili po lëvizte me biçikletë dhe ka kërkuar me ngulm nga e mitura që të bisedojnë bashkë.

Bazuar në dëshminë e 15-vjeçares dhënë organeve të hetuesisë, i dyshuari edhe pse ka parë refuzimin e vajzës dhe tentimin e saj për ta lajmëruar Policinë, sërish nuk ka hequr dorë dhe ka vazhduar ta ngacmojë e t’i shkojë nga prapa asaj.

Për të mos mjaftuar e gjithë kjo, ai më pas e ka kërcënuar viktimën se nëse kërkon ndihmë nga Policia do ta pësojë keq.

Përballë kësaj situate dhe e frikësuar deri në palcë, ajo ka arritur që të ikë nga i dyshuari duke u fshehur në një nga tezgat në treg, prej ku edhe ka lajmëruar nënën e saj lidhur me atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia ka ftuar të dyshuarin që të paraqitet në stacion policor për intervistim.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se për shkak se 21-vjeçari edhe më parë kishte pasur probleme të të njëjtës natyrë me viktimën, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/