image Ia uzurpoi tokën që 20 vjet, ky është burri që s’po lejon të moshuarin të ndërtojë shtëpi në Prizren

Siguri

Ia uzurpoi tokën që 20 vjet, ky është burri që s’po lejon të moshuarin të ndërtojë shtëpi në Prizren

news image

Gazeta Sinjali pak më herët raportoi për një konflikt pronësor në Prizren, ku një burrë dyshohet se ka uzurpuar një parcelë toke tash e disa vite dhe nuk po lejon pronarin legjitim të ndërtojë shtëpinë në të. I dyshuari është arrestuar për kanosje dhe uzurpim dhe është dërguar në mbajtje.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Bashkim Krasniqin, 60-vjeçar.

Krasniqi bashkë me një person tjetër dyshohet se kanë kanosur seriozisht 67-vjeçarin, ani pse ky i fundit është pajisur me leje ndërtimore për shtëpinë.

Ankuesi është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici, ku përpos deklaratës së tij u ka ofruar hetuesve në cilësinë e provave edhe videot ku dëgjohen kërcënimet, dokumentacion lidhur me pronën dhe lejen e ndërtimit të shtëpisë.

Gjatë intervistimit, 60-vjeçari bashkë me të dyshuarin tjetër kanë deklaruar para hetuesve policorë se pronën në fjalë e shfrytëzojnë tash e 20 vite dhe të njëjtit nuk tërhiqen nga fjalët se s’do të lejojnë ndërtimin e shtëpisë nga i moshuari në atë pronë. Po ashtu ata kanë mohuar të kenë kërcënuar ankuesin.

Me urdhër të prokurorit, Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ dhe ‘Kanosje’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/