Në konferencën për shtyp që mbajti në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump sqaroi masat e administratës së tij për luftën kundër llojit të ri të koronavirusit (Covid-19).
Ai deklaroi se administrata e tij po punon ditë e natë për të parandaluar përhapjen e epidemisë dhe theksoi se ata po bëjnë përpjekje të mëdha në të gjitha fushat, duke filluar që nga paketat e ndihmës financiare e deri tek punimet për prodhimin e vaksinës.
Trump theksoi se pandemia e koronavirusit tani është përhapur në të gjithë botën dhe argumentoi se qeveria kineze nuk i mori në kohë masat e nevojshme, kur virusi për herë të parë ishte shfaqur muaj më parë në Kinë.
“Kina mund ta kishte ndaluar virusin që në burim. Nëse Kina do ta kishte informuar botën që në fillim, kjo epidemi mund të ishte ndalur më herët”, tha ai dhe shtoi: “Unë isha i pari që bëra apel për të ndaluar hyrjen në Amerikë të njerëzve që vinin nga Kina, por media më shpalli menjëherë racist. Ndërkohë që një diçka të tillë mund ta kishim bërë që atëherë”, deklaroi ai.
Gjithashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë, tha se se disa njerëz në media duan që ekonomia të vuajë si rezultat i epidemisë së koronavirusit. “Media do donte të më shihte të mos dilja mirë në zgjedhje”, shtoi ai.
Ai po i përgjigjej pyetjes së një gazetareje lidhur me synimin për të rihapur bizneset për Pashkë dhe nëse kishte motive politike pas atij objektivi. “Mendoj se ka njerëz që do të donin të mos hapej kaq shpejt”, tha ai.
Më herët të mërkurën ai shkruante në Twitter se “mediat e këqija janë forca dominuese që duan që ai ta mbaj vendin të mbyllur sa më shumë të jetë e mundur me shpresën se do të më dëmtojë për zgjedhje“.
”Njerëzit e thjeshtë duan që të rikthehen në punë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai. Ekspertët e shëndetësisë vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e vazhdimësisë së masave si distancimi social për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
“Është e qartë që nuk jemi në një pikë ku mund të marrim frymë të qetë”, tha Jennifer Nuzzo, një epidemiologe në Universitetin Johns Hopkins.
Edhe guvernatori i Nju Jorkut, shteti më i prekur nga epidemia e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, po kritikon sugjerimin e Presidentit.
“Asnjë amerikan nuk do që të përshpejtohet ekonomia në dëm të jetës së njerëzve. Mos na bëni të zgjedhim mes një strategjie të mençur mjekësore dhe një strategjie të mençur ekonomike”, tha Andrew Cuomo.