Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se, dikush ka hyrë në garazhën e ndërtesës ku banon dhe ia ka shpërthyer me thikë gomat e veturës, shkruan Gazeta Sinjali.
Manaj ka njoftuar se, ai e ka lajmëruar rastin në polici.
Tutje, Manaj ka thënë se, ky veprim i ulët është tentim për ta ndal nga puna, porse, sipas tij, ata kanë gabuar.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Sot rreth ores 11:00 kam vërejtur se katër gomat e vetures time, brenda garazhes në banesën ku banoj, janë shpërthyer, si rrjedhojë e shpuarjes me thikë.
Rasti është lajmruar në polici, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe e ka kryer punën e saj me profesionalizëm. Me këtë rast e falënderoj Policinë e Kosovës dhe kërkoj që rasti të trajtohet dhe të zbardhet në tërësi.
Unë, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem personal me askënd. Prandaj, nëse ky veprim i ultë është tentim që unë të ndalem nga puna ime e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend të Republikës dhe nga angazhimi i çdo ditshëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, e kanë gabim, sepse nuk ka forcë që me ndal nga ky përkushtim.
Duke marr paraysh që rasti është tani në procedurë hetimore, kërkoj mirëkuptimin e mediave që përtej këtij njoftimi, nuk mund të jap deklaratë tjetër, lidhur me këtë rast.
Me respekt,
Shkëmb MANAJ/Gazeta Sinjali/