image LDK akuzon Vetëvendosjen për nepotizëm: Po i kapni institucionet

Politikë

LDK akuzon Vetëvendosjen për nepotizëm: Po i kapni institucionet

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e cila sipas saj është duke rekrutuar persona në bazë të lidhjeve familjare dhe politike.

Në konferencën e organizuar për shtyp që është mbajtur sot, Shkëmb Manaj nga kjo parti ka deklaruar se gjatë fushatës elektorale kryeministri Albin Kurti ishte zotuar për luftimin e nepotizmit mirëpo me ardhjen e tij në krye të Qeverisë është duke e bërë të kundërtën.

Manaj ka deklaruar se punësime partiake nga LVV ka pasur në sektorin e financave dhe komisionin për privatësi, shkruan Gazeta Sinjali.

Manaj ka thënë se ky është tentim për kapjen e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike.

“LDK-ja duke e përcjellë me shqetësimin shtrirjen e kësaj dukurie dhe kërkon që një trend i tillë të ndërpritet. LDK-ja vlerëson se emërimet po bëhen për kapjen e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, e aq më keq është mënyra se si po arsyetohen këto emërime familjare. Në vazhdën e këtyre emërimeve është edhe emërimi i aktivistëve të VV-së në pozita udhëheqëse në Postë dhe Telekom. Është shqetësues fakti që gjatë këtyre ditëve të qeverisjes zyrtarët e lartë që kanë aktakuza po tentojnë të frikësojnë gjyqtarët e prokurorët”, ka thënë ai.

Manaj për vendimin e Bidenit ka thënë se ky është vendim ekzekutiv i presidentit dhe nuk është çështje e vlerësimit të institicioneve tona.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë se qëndrimi i LDK-së për dialogun ka qenë që kryeministri Albin Kurti para se të shkojë në Bruksel të prezantojë platformën.

/GazetaSinjali/