image I prekuri me koronavirus në Shqipëri lajmërohet nga karantina: Nuk arrij të kuptoj këtë lojë

Rajon

Tiranë/ I prekuri me koronavirus në Shqipëri lajmërohet nga karantina: Nuk arrij të kuptoj këtë lojë

news image

31-vjeçari, që sipas të dhënave zyrtare rezulton pacienti i dytë ‘zero’ dhe njëherësh personi i 6 i infektuar nga koronavirusi në Shqipëri, përmes një videoselfie për RTV Ora ka thënë se ka 36 orë në karantinë te Infektivi dhe askush nuk i ka konfirmuar përgjigjet e analizave.

I riu kishte udhëtuar nga Milano në vendin tonë dhe sapo kishte shfaqur simptomat kishte telefonuar në 127.

“Unë jam 31 vjeçari për të cilin Ministria e Shëndetësisë dhe Erjon Braçe pretendoi se jam infektuar me koronavirus. Këtu jam te karantina, jam izoluar që prej orës 00:00 të natës së të dielës. Nuk më kanë sjellë asnjë përgjigje që jam me koronavirus, infermierët këtu nuk e pranojnë që jam me koronavirus. Nuk arrij të kuptoj këtë lojën që publikisht nxjerrin të dhënat e mia dhe thonë se jam me koronavirus ndërkohë këtu nuk vjen askush të ma konfirmojë. Se kuptoj se pse po e bëjnë këtë propagandë në emër timin. Nëse telefoni është i fikur më vonë do të thotë se ma kanë bllokuar këta. Nuk është normale të rrish më shumë se 36 orë në karantinë pa marrë një përgjigje”.

Zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, duke ju referuar të dhënave të Ministrisë së Shendetësisë tha se i riu kishte udhëtuar vetëm për disa orë në Milano për të takuar dajën e tij në spital dhe ishte infektuar nga virusi.

Marrë shkas nga kjo ai apeloi qytetarët që kanë udhëtuar drejt Italisë në dy javët e fundit të futen në karantinë.

Braçe: Njerëz nëse keni qenë në Itali dy javët e fundit rrini në shtëpi!Mos dilni! Mos shkoni në kafe a restorante! Infektoni të tjerë kështu! Ky virus shfrytëzon fort menyrën tonë të jetesës; e dimë mirë, ne jemi popull shumë social, “bëhemi shumë” me njeri tjetrin!I infektuari i 6-te është një dalë i ri që ka shkuar veç për disa orë në Milano, “për të parë dajën e shtruar në spital atje”!!!!!!!!!! Veç kaq pak është dashur! Pastaj dashuria e madhe për njëri-tjetrin këtu e përhap me qef virusin! Ndaj, nëse ke qenë në Itali, vetëkarantinohu! Rri në shtëpinë tënde! Shpëton veten dhe gjithkënd që do! Bëje tani!

RTV Ora disponon gjeneralitetet e 31 vjeçarit por për arsye etike nuk do ti bëjë publike. 

Deri tani në Shqipëri janë konfirmuar 6 persona me koronavirus. Përpos 31 vjeçarit që ishte kthyer nga Milano, kishim më herët një 28 vjeçar të kthyer nga Firence i cili më pas kishte infektuar babain e tij dhe 3 familjarë të tjerë.