image I ofendoi prindërit pasi nuk ia dhanë 100 euro, Gjykata në Prizren merr vendimin ndaj tij

Drejtësi

I ofendoi prindërit pasi nuk ia dhanë 100 euro, Gjykata në Prizren merr vendimin ndaj tij

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 1 vit burgim dhe gjobë 500 euro të akuzuarin B.M, për shkak se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, i dënuari me datë 24 prill të vitit të kaluar, në shtëpinë e tij në Prizren kishte ushtruar dhunë psikike dhe ekonomike ndaj familjarëve të tij.

Ai nën ndikimin e narkotikëve, kishte kërkuar nga prindërit e tij para në vlerë prej 100 eurosh dhe kur ata refuzuan t’ia jepnin të hollat, ai kishte filluar t’i ofendojë dhe t’i kanosë se do ta djegë shtëpinë.

“Me datë 24.04.2020, në Prizren në shtëpinë e përbashkët familjare, ushtron dhunë psikologjike dhe ekonomike me qëllim të cënimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, përkatësisht ndaj të dëmtuarve – prindërve të tij, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje duke qenë nën ndikim të përdorimit të narkotikëve, kërkon nga prindërit e tij para në vlerë prej 100 euro dhe kur këta të fundit nuk i japin para, i njëjti në mënyrë agresive fillon t’i ofendojë, fyejë, e shajë si dhe i kanos se do t’i djeg shtëpinë dhe fillon të gjuajë me gurë në drejtim të kulmit të shtëpisë me ç ‘rast, tek të dëmtuarit shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri, me këtë ka kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 par. 1 e 2 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Po ashtu, kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/