image “I lidhin me zinxhir, nuk ju japin bukë”, tregohen raste të keqtrajtimit në shtëpitë e të moshuarve në Shqipëri

Shqipëri

“I lidhin me zinxhir, nuk ju japin bukë”, tregohen raste të keqtrajtimit në shtëpitë e të moshuarve në Shqipëri

news image

Drejtoresha Ekzekutive e “Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat”, Mira Pirdeni teksa komentoi rastin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në azilin e Pejës, ku e moshuara dhunohet nga vajzë e re, bëri denoncimin edhe për azilet në Shqipëri.

Pirdeni tha se në azilin e Tiranës ka pasur raste që të moshuarit janë lidhur me zinxhirë ndërsa në Fier as bukë nuk u japin.

“Unë jam shokuar nga sjellja e vajzave të reja. Ne e kemi parë këtë skenë në qendrat tona vazhdimisht, të lidhura dhe me zinxhirë. Kemi parë në Tiranë që janë lidhur me zinxhirë ndërsa në azilin e Fierit, kemi parë raste që as bukën nuk ua jepnin.

Ne kemi parë raste të tjera të tilla, por jo të gjitha këto bëhen publike. Nuk është puna vetëm te kamerat, por standardet që monitorohet një shërbim duhet të jenë të fokusuara”, tha ajo.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendrën për të moshuar “Orenda” në Pejë, ndërsa video e filmuar u përhap menjeherë në mediat sociale.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i autoriteteve të cilët kanë bërë të mundur dhe arrestimin e infermiereve Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi.

Të dyshuarat janë pezulluar dhe nga puna si dhe ju është hequr licenca e punës.

E moshuara e dhunuar është nëna e dëshmorit Taulant Nuraj i cili ka humbur jetën në moshën 17-vjeçare në luftën kundër Serbisë. Në pamjet e publikuara shihet se Pelaj dhunon të moshuarën me shpulla ndërsa në një moment i vendos dhe këmbën në bark.

Veprimi i të resë ndaj të moshuarës ka marrë reagime të shumta në opinionin publik në Shqipëri. Lajmi ka marrë përmasa globale ku media të huaja kanë raportuar për ngjarjen.

/GazetaSinjali/