image I jepet lamtumira e fundit 15-vjeçarit që u ther me thikë dje në Prizren

Kosovë

I jepet lamtumira e fundit 15-vjeçarit që u ther me thikë dje në Prizren

news image

Sot pasdite, në varrezat e qytetit të Prizrenit, i është dhënë lamtumira 15-vjeçarit L.B., i cili dje si pasojë e një përleshje me thika ka mbetur i vdekur, shkruan Gazeta Sinjali.

Familjarë, të afërm, nxënës e qytetarë i kanë dhënë lamtumiren e fundit 15-vjeçarit, L.B., nxënës i shkollës së mjekësisë ” Luciano Motroni” në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren po ashtu sot njoftoi se 15-vjeçari ishte goditur me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, plagë e cila i kushtoi me jetë.

“Në bazë të informacioneve një nga sulmuesit e kishte goditur viktimën me një mjet të mprehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën. Prokurori kujdestar së bashku me njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar provat materiale”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Sipas prokurorisë, të miturit e përfshirë në këtë përleshje kishin poseduar një armë zjarri dhe dy thika.

Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ndaj të miturit që dyshohet se e ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa dy të miturit e tjerë, që dyshohet se kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt.

/Gazeta Sinjali/