Gjykata Themelore e Ferizajt ka reaguar për vrasjen e gruas shtatzënë, Hamide Magashi, 35-vjeçare, e cila dyshohet se u privua nga jeta nga ish burri i saj Sokol Halili, 31-vjeç. Gjykata deri më tani, nga të dhënat e nxjerra prej sistemit informativ për menaxhim të lëndëve SMIL ka evidentuar se në shtator të këtij viti i dyshuari ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me gjobë.
Sipas Gjykatës, i dyshuari për vrasje, Sokol Halili, në shtator të këtij viti ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje.
“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.”
Në muajin gusht, ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj 35-vjeçares.
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në komunikatë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.