image I caktohet paraburgimi 39-vjeçarit që gjuajti me armë në Prizren dhe që kërcënoi me vrasje policët

Drejtësi

I caktohet paraburgimi 39-vjeçarit që gjuajti me armë në Prizren dhe që kërcënoi me vrasje policët

news image

Gjykata Themelore në Prizren e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 39-vjeçarit, Labinot Kicaj, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në një restorant në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Kicaj do të qëndrojë në paraburgim deri më 1 mars, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Kanosje”.

Sipas njoftimit të gjykatës, deri më datë 31 janar 2022, në kundërshtim me Ligjin mbi Armët 39-vjeçari mbante në posedim armën – pistoletën e tipit “Glock 17 Austria” dhe 16 fishekë të kalibrit 9mm të vendosur në karikator.

Mbrëmjen e 31 janarit, ai dyshohet se ka rrezikuar jetën e njerëzve të tjerë, duke shtënë me armë zjarri në një lokal.

Gjykata bën të ditur se Kicaj kishte gjuajtur fillimisht me shishe të birrës në drejtim të një personi në lokal dhe pastaj kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe në atë moment kishte ndërhyrë pronari i lokalit, i cili i ka kërkuar që ta lëshonte armën.

Në atë çast arma ishte shkrepur dhe 39-vjeçari kishte lënduar gishtin tregues të dorës së majtë dhe këmbën e majtë.

Ndërkaq, gjatë arrestimit nga Policia, ai kishte rezistuar dhe kur zyrtari policor ia kishte vënë prangat, ai e kishte kërcënuar me fjalët “Ju njoh të gjithëve, …, kam me ju vra” dhe të njëjtat kërcënime, sipas gjykatës, ai i ka përsëritur edhe pas trajtimit mjekësor.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare dhe me qëndrimin e të pandehurit në liri, ai mund arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të natyrës së rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/