image Prokuroria kërkon paraburgim për dy zyrtarë bankarë, e futën qytetaren në kredi fiktive prej 25 mijë eurosh

Drejtësi

Prokuroria kërkon paraburgim për dy zyrtarë bankarë, e futën qytetaren në kredi fiktive prej 25 mijë eurosh

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy zyrtarëve bankarë, të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas prokurorisë, të pandehurit Ural Zymberi dhe Kastriot Kabashi, të cilët aktualisht ndodhen në ndalim 48-orësh, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për të cilën po hetohen.

Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, thuhet se Ural Zymberi, në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të një kredie nuk e ka njoftuar klienten dhe ka liruar mjete financiare në vlerë prej 24 mijë euro nga llogaria e saj, pa dijeninë e saj.

Ndërkaq, Kastriot Kabashi, në cilësinë e analistit të kredisë, dyshohet se ka ekzekutuar transferimin e mjeteve në dy llogari biznesesh, nga 12 mijë euro për secilën.

Prokuroria thekson se me këto veprime, të pandehurit i kanë shkaktuar dëm material të dëmtuarës R.L. nga Prizreni, duke e ngarkuar atë me kredi fiktive në vlerë prej 25 mijë euro, si dhe duke e përfshirë në procedura përmbarimore.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht emrat e të dyshuarve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/