image I caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit që sulmoi fizikisht policët në Ferizaj

Drejtësi

I caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit që sulmoi fizikisht policët në Ferizaj

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar sot kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 02 gusht 2021, në Ferizaj ka sulmuar personat zyrtarë – policët gjatë kryerje së detyrës zyrtare, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Sipas gjyqtarit, zyrtarët policorë B.V. dhe A.R., ishin duke larguar klientët nga një lokal në Ferizaj, në kuadër të planit operativ antiCOVID, kur i pandehuri kishte filluar që t’i fyejë, e më pas i kishte sulmuar fizikisht, duke u shkaktuar lëndime trupore, të përshkruara si në raporte mjekësore të Qendrës  Emergjente në Ferizaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në kumtesën e gjykatës bëhet e ditur se këtë masë A.S., do ta mbajë në Qendrën e Paraburgimit dhe nga aty do të dërgohet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, me qëllim ekzaminimi psikiatrik dhe konstatim-Observim të natyrës, llojit, shkallës dhe kohëzgjatjes së sëmundjes mendore, ndikimin që ka pasur gjendja mendore.

Po ashtu, përmes këtij ekzaminimi do të kuptohet edhe fakti se a ka mundur ky i pandehur t’i kuptojë veprimet e tij në kohën e kryerjes së veprës penale, a është i aftë për ta mbrojtur veten, të konsultohet me personat të tjerë, përkatësisht me mbrojtësin, aftësinë për ta kuptuar akuzën dhe a është i aftë për ta përballuar gjykimin./Gazeta Sinjali/