Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 27-vjeçarit me iniciale Sh.Sh., i dyshuar për grabitje të armatosur, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se i dyshuari është ndaluar sot.
“Sh. Sh., mashkull 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar dhe më pas është proceduar në gjykatë, ku i janë caktuar 30 ditë paraburgim”, tha Ahmeti.
27-vjeçari dyshohet se është përfshirë në grabitjen e armatosur që është kryer më 17 shkurt të këtij viti në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës, ku nën kërcënimin e armës kishin arritur t’i vjedhin 447 euro punëtorit të pompës së derivateve “Patroni”.
Ekziston dyshimi i bazuar se 27-vjeçari ka qenë po ashtu i përfshirë në një tentim grabitje që ishe kryer më 10 mars të këtij viti, në po të njëjtin lokacion.
Lidhur me këto dy raste deri tani Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme -Prishtinë, ka arrestuar tre persona, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të të dyshuarit të katërt i cili dyshohet me bazë të jenë pjesë e këtij grupi./Gazeta Sinjali/