Të enjten, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion të koduar si “Rrufeja”, që përfundoi me arrestimin e një personi dhe konfiskimin e rreth 17 kilogramëve drogë. I dyshuari që u kap, Aleksandër Kelmendi u prezantua si shtetas i Kosovës, por Policia e zbuloi se ai është shtetas i Shqipërisë dhe po kërkohej edhe nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane, shkruan Gazeta Sinjali. Kelmendi së shpejti pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili do të vendos për kërkesën e Prokurorisë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se ndaj tij po kërkohet caktimi i masës së paraburgimit, si i dyshuar për shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të drogës.
Por cilat janë dyshimet mbi të cilat Kelmendi u arrestua?
Sinjali mëson se Aleksandër Kelmendi po dyshohet se duke vepruar në grup, ka shitur, shpërndarë e transportuar në transit, substanca e preparate narkotike me qëllim të shitjes, deri më datën 19 maj, kur u kap në flagrancë. Burimet e Sinjali thonë se 53-vjeçari u ndalua derisa ishte duke zbritur nga vetura e tij, në rrugën “Lekë Dukagjini”, në Prishtinë.
Si u kap Kelmendi nga Policia e Kosovës?
Në bazë të kallëzimit penal, Sinjali mëson se Policia e vëzhgoi Kelmendin në momentin kur ai nxori nga vetura e tij një çantë me 31 paketime me drogë dhe i njëjti u ndalua menjëherë nga njësia policore që e arrestoi dhe nisi bastisjen në shtëpinë e tij, ku u gjet po ashtu një sasi tjetër me substancë narkotike.
Pesha totale e drogës që u gjet dhe u konfiskua nga Antidroga është 16.780 kg. Por Sinjali mëson se përveç drogës, Policia ka konfiskuar edhe para, telefona e disa dokumente identifikimi, që dëshmojnë se Kelmendi vepronte me disa identitete.
I dyshuari me shumë identitete
Sinjali mëson se në kallëzimin penal të dorëzuar nga Policia, thuhet se Kelmendi në momentin e ndalimit ishte prezantuar si shtetas i Republikës së Kosovës me emrin Izet Osmani. Por gjatë kontrollimit nga Policia, atij i është gjetur një pasaportë e Republikës së Shqipërisë me emrin e vërtetë të tij, Aleksandër Kelmendi, si dhe mjete të identifikimit të Italisë.
53-vjeçari që dyshohet se veproi si grup për shitblerje të drogës është i kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.
Sinjali mëson se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dërguar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, nën dyshimin se Kelmendi ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge“. Në kërkesë është bashkëngjitur edhe kallëzimi penal i dorëzuar nga Policia, prova të tjera që janë mbledhur dhe informacionet e siguruara për veprimtarinë e kundërligjshme të ushtruar nga Kelmendi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.