Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ndryshimi në këtë komunë mund të bëhet edhe me PDK-në, shkruan Gazeta Sinjali.
VV në Gjilan arriti marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në dje, duke ia ndarë katër drejtori dhe nënkryetarin.
Hyseni tha se ky koalicion ka qenë i parashikueshëm duke i ditur numrat.
“Nuk e di nëse ka qenë e pritshme. E paralajmëruar jo, por disi e parashikueshme ka qenë në Gjilan, duke i ditur numrat. Lëvizja nuk ka dalë mirë për kah numri i komunave që kemi fituar, ndërsa Gjilani është e vetmja komunë e madhe që udhëheqim, duke shtuar se udhëhiqet nga një aktivist i vjetër i Vetëvendosjes. Duhen 18 asamblistë për të pas shumicën në Asamble. Ne kemi vetëm 10 asamblistë. Kjo na ka imponuar që ose të shkojmë vetë, ose të bëjmë koalicion. Për dy mandate kemi pasur kryetar të LDK-së dhe automatikisht nuk do të kishte logjikë të kishim koalicion me ta”.
“Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ai nuk do të ishte ndryshim. Nuk po dua me amnistu PDK-në nga gabimet që i ka bërë të kaluarën, por ndryshimin edhe me PDK-në mund të bëjmë. Duke qenë se janë [PDK] qe dy mandate në opozitë, duhet të punojnë për ta kthyer partinë pasi është në gjendje shumë të keqe në Gjilan. Ne kemi marrëveshje edhe me partinë turke KTDP, që ka nënkryetarin e dytë në Asamble, AKR-në e cila do të udhëheqë me Zyrën për Luginën e Preshevës, ndërsa jemi munduar të bëjmë marrëveshje me AAK-në, por ata kanë probleme të brendshme atje. Asamblistja e AAK-së që votoi kundër urdhrave të partisë nuk ka pasur asnjë kërkesë specifike ndaj meje. Fundja është interes i qytetarëve për të ndihmuar në realizimin e projektit në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai në KTV.