Programi Human Rights Watch për të drejtat e LGBTI-së përmes një letre u është drejtuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu në lidhje me Kodin Civil të Kosovës.
Drejtori i programit për të drejtat e LGBT, Graeme Reid, në kuadër të Human Rights Watch, derisa në kuvend po diskutohej rreth Kodit Civil të Kosovës ka thënë se pasiguria rreth bashkimeve civile i vë në rrezik çiftet e të njëjtit seks, e po ashtu edhe familjet e tyre.
Reid tha se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh kufizime gjinore në lirinë e martesës, ku sipas tij, neni 37 i Kushtetutës së Kosovës thotë se çdokush ka të drejtën e martesës dhe të drejtën për të pasur familje.
“Megjithatë, Kodi Civil i Kosovës, i miratuar vitin e kaluar, kufizon në mënyrë diskriminuese martesën e bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, duke përjashtuar çiftet e të njëjtit seks”, thuhet në deklaratë.
Tutje, në reagim thuhet se Kodi Civil i Kosovës vazhdon të thotë se bashkimet ndërmjet personave të të njëjtit seks lejohen, por sipas programit Human Rights Watch për të drejtat e LGBTI-së, ai [Kodi Civil], nuk parashikon asnjë mekanizëm për njohjen e këtyre bashkimeve.
Programi Human Rights Watch për të drejtat e LGBTI-së, kanë thënë se presin nga Qeveria e Kosovës që të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtit seks të kenë të njëjtat të drejta si çiftet e tjera, dhe për ta çrrënjosur diskriminimin në bazë të orientimit seksual.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë informacion dhe këshilla – dhe presim me padurim legjislacionin që i jep fund diskriminimit në ligjin familjar dhe ofron mbrojtjen më të fortë të mundshme për çiftet e të njëjtit seks dhe familjet e tyre”, thuhet në reagim.
Sot, në Kuvendin e Kosovës nuk është miratuar plotësim-ndryshimi i Kodit Civil të Kosovës që lejon martesën e personave të të njëjtit seks.