Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, edhe një herë e ka theksuar qëndrimin e shtetit që ai e përfaqëson, duke thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që të arrijë marrëveshje me Serbinë në takimin e radhës që do të mbahet me 18 mars në Ohër.
Sipas tij, të gjitha vendet që kanë qëndruar pranë Kosovës drejt rrugëtimit të saj si shtet, janë të pajtimit se kjo marrëveshje do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit.
“Më duhet të theksoj se për ata që kanë qenë duke i ndjekur zhvillimet në Kosovë për një kohë të gjatë, ky është një moment i jashtëzakonshëm që ka bashkuar kancelarin gjerman, presidentin francez, kryeministren italiane, letra nga presidenti Biden, deklarata nga sekretari Blinken, përfshirje nga përfaqësues të lartë të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar”.
“Të gjitha këto vende që e kanë mbështetur Kosovën, besojnë se kjo është një gjë shumë e mirë dhe kanë bërë përpjekje të mëdha që të arrihet një sukses në negociata”.
“Pra nuk ka dyshim rreth asaj se si ShBA-ja e sheh këtë mundësi. Diplomacia jonë ka qenë që ta inkurajomë palën kosovare që ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe që Kosova t’i shfrytëzojë të mirat që sjellë kjo marrëveshje”.