image Hoti thotë se kanë dallime për taksën me VV-në: Do t’i përafrojmë qëndrimet

Kosovë

Politikë/ Hoti thotë se kanë dallime për taksën me VV-në: Do t’i përafrojmë qëndrimet

news image

Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti ka thënë se mbledhja e sotme e qeverisës është po mbahet për të finalizuar programin qeverisës.

“Është mbledhje pune e qeverisë për të finalizuar programin qeverisës, i cili është dakorduar në marrëveshjen e koalicionit tash kthehet në program qeverisës, nëpër resorët përkatës. Po shqyrtojmë me detale programin, po identifikojmë prioritetet tona për katër vitet e ardhshme, po identifikojmë masat e menjëhershme që duhet të ndërmarrim nëpër resorët përkatës. Do ta kthejmë këtë plan qeverisës në plan pune me afate kohore, me masa konkrete, me agjendë legjislative edhe me buxhetet përkatëse për realizimin e këtij programi qeverisë”, ka thënë fillimisht Hoti për KTV-në.

Më tej, ai ka folur edhe për takimin e zhvilluar mbrëmë  në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, pas heqjes së pjesshme të taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës.

“Janë takuar dy kryetarët e partive, pjesë të koalicionit për të diskutuar për tejkalimin e kësaj situate. Është kërkesë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që ne të lëvizim përpara në heqjen e taksës dhe në marrjen përsipër komplet të procesit të dialogur. Në ndërkohë, partnerët na japin zotime që do të angazhohen menjëherë në stopimin e fushatës se çnjohjeve të Serbisë. Kemi disa diferenca, dallime brenda koalicionit qeverisës. Dy kryetarët janë takuar dje dhe mbesim që të takohemi prapë në ditët e ardhshme për të parë nëse mund që të përafrojmë qëndrimet”, ka deklaruar Hoti.

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot në Prevallë për të harmonizuar programin qeverisës. Të pranishëm në mbledhje janë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe stafi i zyrës së kryeministrit./Gazeta Sinjali/