image Hoti: Të pagjeturit, çështje kryesore në çfarëdo marrëveshje me Serbinë

Kosovë

Hoti: Të pagjeturit, çështje kryesore në çfarëdo marrëveshje me Serbinë

news image

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se pa njohje reciproke nuk mund të ketë normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas homazheve që i ka bërë në pllakën përkujtimore të personave të pagjetur me rastin e Ditës Botërore të të Pagjeturve, Hoti ka theksuar se është duke u angazhuar plotësisht në dialogun me Serbinë.

Hoti ka thënë se tema e personave të pagjetur do të jetë çështje kryesore në çfarëdo marrëveshje për normalizim raportesh dhe njohje reciproke me shtetin serb.

“Kjo është plagë e hapur akoma. Është tema më e ndjeshme. Nuk është e tepërt. Kjo është çështja kryesore në çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet për normalizim marrëdhëniesh dhe për njohje reciproke”, ka thënë Hoti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se në çdo takim me Serbinë diskutojnë tema të cilat janë në funksion të njohjes reciproke.

“Në çdo takim që kemi, tema e vetme për çfarëdo që bisedojmë, çdo gjë është në funksion të njohjes reciproke. Ndryshe nuk mund të normalizohen marrëdhëniet mes të dy shteteve”, ka theksuar kryeministri. /Gazeta Sinjali