image Hoti - Qeverisë Kurti për raportin e ShBA-së rreth Ujmanit: Ju pata thënë të mos nguteni, kërkoni falje

Politikë

Hoti – Qeverisë Kurti për raportin e ShBA-së rreth Ujmanit: Ju pata thënë të mos nguteni, kërkoni falje

news image

Sot, Departamenti amerikan për Energji ua ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, raportin final për fizibilitetin e Liqenit të Ujmanit, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me këtë ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se zyrtarët e Qeverisë Kurti duhet të kërkojnë falje, për deklaratat e tyre se Marrëveshja e Washingtonit, e cila i parapriu këtij raporti, ka cenuar sovranitetin e Kosovës.

“A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës (SHBA), që u publikua sot?!”

“Ata që nuk lanë gjë pa thënë për këtë studim dhe për gjithë marrëveshjen e Washingtonit, të cilët sot janë disa në Qeveri e disa në opozitë, duhet së paku të kërkojnë falje. Iu pata thënë të mos nguten. Koha po nxjerrë në dritë të gjitha të vërtetat, si dhe të gjitha mashtrimet elektorale e politike”, shkroi ai në Facebook.

Hoti ka porositur qeverinë që të zbatojë marrëveshjen dhe të realizojnë projektet që derivojnë nga kjo marrëveshje, përndryshe, sipas tij, nuk do t’ju zgjatë mandati.

“Ata që tani janë në Qeveri DUHET të kujdesen për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit: projektet e hekurudhave dhe autostradave, energjisë së ripërtërishme, furnizimit me gaz, si dhe krijimin e mundësive për financim për bizneset private të Kosovës në tregje financiare të SHBA-së. Ndryshe nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar.”

Hoti po ashtu ka përmendur edhe faktin që Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse, sipas tij, është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës./Gazeta Sinjali/