image Hoti njofton se sot Kosova është pavarësuar nga Serbia në rrjetin energjetik

Kosovë

Hoti njofton se sot Kosova është pavarësuar nga Serbia në rrjetin energjetik

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Kosova nga sot është e gatshme të operojë e pavarur në rrjetin energjetik, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo pasi që, nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30 qershor të këtij viti, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi.

“Kryeministri Hoti tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Miratimi i pavarësisë energjetike të Kosovës ishte bërë më 20 prill të këtij viti.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njofton se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të vendit tonë.

Më tej, kryeministri Hoti tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, tha kryeministri Hoti./Gazeta Sinjali/