Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se ata që kanë problem me ligjin nuk mund të marrin poste publike duke iu referuar vendimeve të KQZ-së dhe PZAP-së që ia pamundësojnë kandidimin për deputet personave të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit.
Pjesë e kësaj liste është edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti.
“Vendimet e organeve të drejtësisë duhet të respektohen. Mund të nënkuptohet gjithqysh, por s’është fokusi im aty. Dëshira ime është të ballafaqohem me të gjithë kandidatët për kryeministër, të gjithë ata që garojnë duke i përmbushur ligjet. Është e qartë, gjithkush që ka problem me ligjin s’mund të kërkojë post publik dhe s’mund të dalë para qytetarëve”, ka thënë ai pas homazheve në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Të martën PZAP-ja, si shkallë e dytë, vendosi sikur KQZ-ja që të mos lejojë certifikimin e Kurtit dhe kandidatëve të tjerë që ishin të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Vetëvendosje ka paralajmëruar se sot do të dërgojë ankesë në Gjykatën Supreme, që do të ketë tre ditë afat për vendimin final.
Juristët janë shprehur të ndarë nëse Kurtit, në rast se fiton në zgjedhje, mund t’i lejohet të jetë kryeministër, edhe pse nuk i lejohet të kandidojë për deputet.