image Holanda ndryshon qëndrim, Kosova merr liberalizimin e vizave deri në fund të vitit?

Politikë

Holanda ndryshon qëndrim, Kosova merr liberalizimin e vizave deri në fund të vitit?

news image

Qëndrimi i Holandës, një prej vendeve anëtare të BE-së që është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, ngadalë po ndryshon, thonë analistët e Institutit holandez Clingendael, të cilët mendojnë se Kosova mund të marrë liberalizimin e vizave deri në fund të vitit 2022.

Kosova është e vetmja nga gjashtë partnerët e BE-së nga Ballkani Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave, përkundër vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian katër vjet më parë, sepse Holanda dhe disa anëtare të tjera ishin kundër saj.

Në tekstin “Pozicioni holandez për procesin e liberalizimit të vizave të BE-së për Kosovën. Drita në fund të tunelit?”, kujtohet se Këshilli i BE-së, kur Komisioni Evropian propozoi në vitin 2018 që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, nuk u pajtua.

Dhe, megjithëse vendimi për këtë çështje merret me shumicë të cilësuar (votat e më shumë se 55 për qind të anëtarëve që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së), nuk erdhi deri te heqja e regjimit të vizave.

Ndër të tjera, delegacionet e Holandës, Francës dhe Gjermanisë shprehën shqetësimin për progresin e Kosovës, veçanërisht kur bëhej fjalë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Që atëherë, Kosova, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian i kanë kërkuar vazhdimisht Këshillit që t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Holanda në veçanti ka vazhduar të shprehë shqetësime.

Ky bllokim çoi në politizimin e procesit, sipas analistëve të institutit holandez.

Clingendael këshillon Kosovën që të vazhdojë reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të vazhdojë të zbatojë dhe raportojë për kriteret kryesore për liberalizimin e vizave.

Më tej thuhet se Kosova duhet të vazhdojë të përdorë kanalet diplomatike në Prishtinë, Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së për t’i informuar rregullisht për progresin e reformave.

Gjithashtu, edhe pse dialogu me Serbinë nuk është kërkesë formale për liberalizimin e vizave, në praktikë shumë anëtarë e shohin përparimin dhe ngecjet në dialog si proces paralel me atë të liberalizimit të vizave.

“Edhe pse këto procese duhet të jenë të ndara, liberalizimi i vizave dhe dialogu Beograd-Prishtinë janë të lidhura në një nivel më të gjerë dhe një kthim prapa në dialog mund të ndikojë negativisht në mjedisin politik që rrethon procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në analizën e institutit holandez.

Holanda këshillohet nga Clingendael që të vazhdojë të monitorojë në mënyrë kritike reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe kriteret për liberalizimin e vizave në Kosovë, si dhe qëndrueshmërinë e tyre në afat të gjatë.

Po ashtu thuhet se Holanda për të treguar se është e hapur ndaj çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, duhet të jetë më aktive në këtë çështje në nivel bilateral.

/GazetaSinjali/