image Kosova, ballinë emblematike në "Yllin" gjerman

Kosovë

Rrëfimi/ Kosova, ballinë emblematike në “Yllin” gjerman

news image

“Tragjedia” e Kosovës ka zënë vend në mesin e ballinave më emblematike që revista e njohur gjermane “Stern” (Ylli) i mban në vitrinën qendrore të saj.

Janë edhe disa të tjera që për tematikë kanë luftën e vitit 1999, sa për të dëshmuar se populli gjerman po informohej në vazhdimësi për tragjedinë që po përjetonin shqiptarët në fund të viteve ’90, shkruan sot Koha Ditore.

“Dhe nesër në Kosovë”, është titulli i ballinës tjetër me fotografinë e ushtarëve gjermanë, të cilët do të zbarkonin në mision paqeruajtës në Kosovë, si pjesë e NATO-s. Edhe pse Kosova nuk e ka fokusin e revistës që specializim i ka reportazhet, sa herë që përmendet vendi i vogël nga Ballkani, stafit të “Sternit” ua sjell në mendje tragjedinë e dy “yjeve” të tyre.

Gazetari Gabriel Gruner, fotoreporteri Volker Kramer dhe përkthyesi Senol Haliti do të vriteshin në ditën e parë të paqes, më 13 qershor 1999, në Prizren, nga një mercenar rus.

“Ata kanë një vend special në mesin tonë. Nuk do t’i harrojmë kurrë”, thotë Cornelia Fuchs, udhëheqëse e Departamentit të Jashtëm në “Stern”. Gazetarët dhe shoqëruesi shqiptar po udhëtonin nëpër rrugën gjarpërore, e njohur si Qafa e Duhlës, që për destinacion final kishin Shkupin, prej ku do t’i dërgonin fotografitë dhe rrëfimin për ditën e parë pas çlirimit.

Një kolonë ushtarake serbe në tërheqje e sipër kishte bllokuar rrugën në majën e Qafës.

“Mercedesi” i verdhë i Senol Alitit, brenda të cilit ishin dy reporterët gjermanë, do të ndalohej.

Sipas rrëfimit të revistës, mercenari rus Aleksandër Chernozhnevsev vrapoi drejt veturës duke ulëritur dhe do të zbrazte kallashnikovin në makinën ku ndodheshin reporterët.