image Historia e 20-vjeçarit jetim që u vra në ditën e parë të punës në Velipojë

Shqipëri

Historia e 20-vjeçarit jetim që u vra në ditën e parë të punës në Velipojë

news image

Myzerim Zeneli, 20 vjeçar, humbi jetën dje në Velipojë pas një përleshje me armë zjarri për sipërfaqen e rërës që shfrytëzohet për shezllone. Aty mbetën të vdekur edhe tre persona të tjerë, ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Për të ishte dita e parë e punës në hotelin e Gocajve, por dhe e fundit e jetës së tij, raportojnë mediat në Shqipëri.

Djali jetim jetonte me të ëmën dhe vëllain e tij në lagjen “Bahçallëk”. Të atin e kishte humbur kohë më parë, pasi ishte mbytur në Lumin Drin.

Ende janë shumë rrethana të paqarta të ngjarjes, por nga ajo çfarë dihet është se 30 minuta pas mesnatës së të shtunës (27 qershor) vëllezërit Ferracaku kanë shkuar në oborrin e hotelit Gocaj për të sqaruar konfliktin.

Me të dëgjuar të shtënat ai ka dalë nga dhoma e tij dhe është gjendur mes plumbave.

Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe 17-vjeçari Elmilin Dyli, nipi i tij, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, janë arrestuar.

Policia po ashtu bën me dije se janë shpallur në kërkim tre vëllezërit, Abedin, Shyqyri dhe Besar Ferracaku, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje. Tre vëllezërit janë djemtë e Hasan Ferracaku, i cili tashmë është arrestuar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.

Ata akuzohen për veprën “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim./Gazeta Sinjali/