image Hija e dyshimit të madh mbi vdekjen e Astrit Deharit

Kosovë

Enigma/ Hija e dyshimit të madh mbi vdekjen e Astrit Deharit

news image

Rreth orës 15:00 të datës 5 nëntor 2016, shokët e qelisë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishin tronditur kur pasi ishin kthyer në dhomën e burgut, e panë Astritin në sekondat e fundit të jetës së tij.

3 vjet pas, jeta e Astrit Deharit që mbaroi atë ditë dhe vdekja e tij e trishtë lanë një hije të madhe dyshimi mbi gjithë atë çfarë ndodhi atë ditë.

Dyshimi i madh për rrethanat e vdekjes së tij nisi qysh në ditën kur ai vdiq. Policia, Prokuroria e Shërbimi Korrektues kishin lëshuar deklarata kundërthënëse lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Engma që krijuan këto deklarata vazhdon të qëndrojë ende e pazbërthyer plotësisht, shkruan Gazeta Sinjali.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, kishte thënë se Astrit Dehari kishte rënë në koma nga përdorimi i tepërt i disa medikamenteve, dhe se kishte ndërruar jetë rrugës për në spital. Ndryshe nga kjo ishte versioni i Shërbimit Korrektues të Kosovës, sipas së cilit, Dehari kishte ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. E kryeprokurori i atëhershëm i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, kishte thënë se vdekja e tij konsiderohet e dyshimtë.

Papërputhshmëria e deklaratave të këtyre institucioneve shtyu Lëvizjen Vetëvendosje që të ragojë. Ndërkohë familja e Deharit kërkoi që autopsia e trupit të ndjerë të familjarit të tyre të mos bëhej pa prezencën e mjekëve të pavarur, që do të caktoheshin nga ta.

Prokurori Sylë Hoxha, 2 ditë pas vdekjes së Deharit, kishte përgënjeshtruar deklaratat e drejtorit të Policisë së Prizrenit, duke mohuar se Dehari kishte konsumuar medikamente.

Për këtë habi që nuk do ta shuanin as vitet, kishte reaguar edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari. Ai rikujtoi se deklaratat kontradiktore janë shkelje të rënda të etikës profesionale.

Pak ditë pas vdekjes së Deharit, kishte dalur edhe raporti i autopsisë së vdekjes së Astrit Dehari. Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, përmes një konference e kishte prezantuar autopsinë, sipas së cilës, vdekja e Deharit ishte vetëvrasje.

“Të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje. Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e organeve të frymëmarrjes si pasojë e mbylljes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet i fortë”, kishte thënë Hoxha.

Autopsia nuk e bindi familjen Dehari, avokatin e tyre dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Më 22 nëntor, Minitria e Drejtësisë kishte suspenduar 4 zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, por jo për shkak të vdekjes së Deharit.

Raporti i ekspertëve të pavarur do të vinte më 16 dhjetor të atij viti. Ai konstatonte se vdekja kishte ardhur nga një mjet i fortë, i shtyer me forcë të madhe në gojën e Deharit. Këtë, nuk e kishte marrë parasysh Prokuroria, duke refuzuar edhe ta komentojë.

Thirrjet për drejtësi sa vinin e shtoheshin, teksa u organizuan dhjetëra protesta e marshe në kujtim të Astritit të ndjerë e që si thirrje kryesore patën ndriçimin e rrethanave të vdekjes së tij.

Kryeprokurori i atëhershëm i Prizrenit kishte njoftuar gjithashtu se lidhur me rastin ishin marrë në pyetje 17 persona. Njëri nga ta ishte edhe Naser Makolli, që ishte në një qeli me Astrit Deharin në Prizren, dhe ishte dëshmitari kryesor në këtë rast.

Naser Makolli, i dyshuar për veprën penale të ndihmës në vrasje, ishte transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan pasi kishte ndodhur rasti Dehari. Ai vdiq 5 muaj pas vdekjes së Deharit, për t’u bërë një tjetër hallkë që do ta mbante të nxehtë temën e vdekjes së Astrit Deharit.

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të 2017-ës thanë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër. Sot, dy vjet pas, kjo ekspertizë ka mbërritur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Prokurori Admir Shala, tha sot se ende nuk është hapur ky raport dhe nuk dihet përmbajtja e tij. Ai tha së në momentin e përkthimit të raportit do ta dorëzojnë atë tek avokati i familjes Dehari.

Astrit Dehari po hetohej lidhur me dyshimin se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016. /Gazeta Sinjali/