image Revokohet masa e suspendimit ndaj komandantit dhe pesë zyrtarëve policorë në Gjakovë

Kosovë

Ekskluzive/ Revokohet masa e suspendimit ndaj komandantit dhe pesë zyrtarëve policorë në Gjakovë

news image

Është revokuar vendimi për suspendim ndaj komandantit të stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarëve të tjerë policorë, merr vesh Gazeta Sinjali nga burime të besueshme në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Pas suspendimit i cili ka zgjatur një muaj, komandanti dhe pesë zyrtarët e tjerë të policisë tashmë  janë kthyer në vendet e tyre të punës, shkruan Sinjali.

Më 8 gusht, ata ishin suspenduar nga puna me rekomandim të Inspektoratit Policor, nën dyshimin se kishin përdorur forcë të paautorizuar dhe joproporcionale ndaj një qytetari.

Ndërkohë, Gazeta Sinjali mëson poashtu se ndaj tyre, pardje është dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurori lidhur me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, ndërsa ndaj përgjegjësit në qendrën e ndalimit rëndon akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Gazeta Sinjali mëson nga burimet e sigurta se përkundër dorëzimit të kallëzimit penal, në Prokurorinë Themelore të Gjakovës nuk e kanë marr parasysh trajtimin e lëndës për shkak të presionit të madh të ushtruar për mbylljen e këtij rasti. Sipas këtyre burimeve, Prokuroria Themelore tashmë ka parashtruar kërkesë në Prokurorinë e Apelit që kjo çështje të transferohet për hetim të mëtejmë në një nga prokuroritë tjera të Kosovës.

Në këtë rast, përveç komandantit të policisë, Kristë Gjokaj, janë të përfshirë kapiteni B.P, rreshteri G.B dhe policët M.U, A.I dhe Sh.L. Ekzistojnë videoincizime ku dyshohet se të lartpërmendurit duke qenë në detyrë zyrtare kishin përdorur dhunë në stacionin policor ndaj një qytetari me duar të lidhura.

Hetimi ndaj tyre kishte filluar nga Inspektorati Policor i Kosovës pas pranimit të disa informacioneve nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtim nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Gjakovë./Sinjali/

Kristë Gjokaj,komandant i stacionit policor në Gjakovë