Botuesi, analisti dhe sipërmarrësi i njohur në Shqipëri, Henri Çili ka folur për herë të parë pas arrestimit ditë më parë, i akuzuar, mes të tjerash, edhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarët për çështjen e vrasjes së efektivit të policisë Ibrahim Basha në Lazarat.
“Nuk kam takuar asnjë gjykatës, asnjë përfaqësues të sistemit të lartë të drejtësisë, as unë e asnjëri nga avokatët e studios sime”, tha Çili në një dalje për mediat. “Si botues dhe sipërmarrës takohem me shumë njerëz, edhe të drejtësisë, por për këtë arsye nuk jam takuar asnjëherë me askënd”.
Çili shpjegoi se ai kishte kontaktuar me të afërmit e vëllezërve Aliko, që janë pjesë e dosjes së Lazararit, e cila ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Lartë, por kjo jo si botues, por si aksioner me 75% të aksioneve në një firmë ligjore që mund t’i përfaqësonte ata.
“Janë bërë kontakte dhe biseda për të konkluduar një kontratë shërbimesh juridike, për mbrojtje ligjore”, tha ai. “Nuk kam realizuar asnjë arkëtim, sepse ishim në fazë negocimi. Përderisa nuk kemi asnjë arkëtim, nuk kemi çfarë të fshehim. E përderisa nuk është realizuar asnjë e ardhur në lidhje me studion ligjore, nuk ka mundësi të realizohet edhe pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Çili shpjegoi edhe dhurimin e dy njësive shërbimi në kompleksin “Fishta” në Velipojë. “Është kryer sipas ligjit dhe me vullnet të plotë. Është e vërtetë që kontakti i parë me zotin Fishta ka ardhur përmes njohjeve të një klienti, apo të afërmve të klientit, por konteksti dhe arsyet e dhurimit nuk kishin lidhje me çështjen, por me projekte për zhvillimin e turizmit”, tha ai.