image Hamza i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë 40 vota në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë

Politikë

Hamza i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë 40 vota në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë

news image

Pas dështimit të Projektligjit për vlerat e UÇK-së, Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë 40 vota në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se nëse partia e Albin Kurtit siguron votat e nevojshme për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, atëherë Partia Demokratike e Kosovës do t’i japë 24 votat e saj për ta larguar Hotin.

Hamza ka kërkuar edhe nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që t’i bashkohet këtij mocioni.

“E ftoj Qeverinë e Kosovës të japë dorëheqjen, sepse është shndërruar në pengesë për adresimin e sfidave dhe nevojave të cilat i ka vendi. Gjithashtu, ftoj edhe Grupin parlamentare të VV, pasi që kanë dhënë një mocion që të punojnë në drejtim të këtij mocioni, t’i bëjnë 40 vota. Edhe kryetarja e Kuvendit nëse është duke shpreh pakënaqësi t’i bashkohet këtij mocioni, të sillet në Kuvend dhe në momentin kur bëhen 40 vota dhe krijohen kushtet për me u hedhë në votim ky mocion, Partia Demokratike e Kosovës do të japë 24 vota për. Dhe atëherë krijohen kushtet që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Hamza. /Gazeta Sinjali/