Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar se politika në Prishtinë duhet me u alarmu nga sot, pas deklaratave të senatorit amerikan, David Perdue për heqjen e taksës dhe mbështetjes që i dha atij djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr.
Gjatë ditës së sotme senatori amerikan David Perdue, ka thënë se SHBA-të duhet ta rishqyrtojnë praninë e saj në Kosovë, nëse nuk hiqet taksa për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Haziri vlerësoi se ky është paralajmërim nga ana e shtetit amerikan.
“Ky është paralajmërim, por që po e mbërrin pikën e vlimit. Nuk kemi pas nevojë me shkaktu nervozë dhe humbje të durimit, sepse vijnë në një pikë që e zhvendosin vëmendjen diku tjetër dhe lënia e Kosovës në harresë për shkak të nervozës që i kemi shkaktu në këtë proces të rëndësishëm për ne do të jetë salto mortale”, deklaroi Haziri, për RTV21.
Haziri propozoi që politika në nivel institucional të takohet dhe t’i diskutojnë ideologjitë dhe kërkesat që janë pjesë e politikës së Kosovës dhe t’i dhënë një përgjigje të qartë kërkesës së Shtëpisë së Bardhë, sepse ajo e ka rolin kryesor në dialogun me Serbinë.
“Udhëheqës të dialogut janë SHBA-të. Nuk janë më ndërmjetësues e as garantues, sikurse që kanë qenë në rastin e takimeve të Brukselit. Ata kanë pasur një rol me marrëveshje me evropianët, që Amerika ta lehtësojë procesin prej anash, por që ta garantojë palën e Kosovës që procesi s’ka me degjeneru. Me vetë faktin që e kanë humb durimin me evropianët për shkak të zhagitjes dhe të mosarritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ata nëse e humbin durimin me kancelaren Merkel, me presidentin Macron apo me komisionin evropian, në këtë rast me ta, tregon qartë se mos durimin me ne me twitter e zgjidh”, deklaroi ai.
Kurse për ndikimin e Trump Junior tha se nuk duhet të nënvlerësohet.
Senatori amerikan, David Perdue deklaroi se SHBA-të duhet ta shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova nëse Qeveria nuk e tërheq taksën.
Në krah i doli edhe djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr, i cili tha se “janë rreth 650 trupa amerikane në Kosovë, që duhet të kthehen në shtëpi”. / Gazeta Sinjali/