image Haziri: Nesër me u mbajt zgjedhjet, Isa Mustafa është kandidat për president

Kosovë

Deklarata/ Haziri: Nesër me u mbajt zgjedhjet, Isa Mustafa është kandidat për president

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se me Vetëvendosjen janë marrë vesh që ta zgjidhin më vonë çështjen e presidentit, por sipas tij kurdo që mbahen zgjedhjet, Isa Mustafa do të jetë kandidat për president.

“Është çështje e liderëve, çdo lloj marrëveshje që ata e mbërrjinë, ne do ta mbështesim. Nuk do të doja me laku detaje. Nesër me mbajt zgjedhje, Isa Mustafa është kandidat  për president, të tjerët le të shohin ëndrra se nuk do të jenë kandidatë. Kjo çështje ka me u zgjidh me mirëbesim”, ka deklaruar Haziri në Klan Kosova.

Haziri tha se nuk dëshiron të lakojë më tepër detaje, sepse për këtë çështje dy liderët veçse kanë formuar një qëndrim të përbashkët.

Ndërsa sa i përket raporteve të tij me kryeministrin Kurti dhe presidentin Thaçi, Haziri tha se mes tyre nuk ka vend për armiqësi, por është çështje e rivalitetit politik dhe sipas tij duhet dalluar rivali nga armiku.

“Kurtin e Thaçin i kemi pas rivalë poltikë, por në vlerën tonë politike rivali respektohet, e nuk ofendohet apo denigrohet. Tani jemi në një moment kthese dhe secili prej nesh duhet ta dijë se insitutcioni duhet të respektohet. Nëse respekton institucionet e vendit, duhet të respektosh kundërshtarët. Unë me Kurtin dhe ekipin e Vetëvendosjes negocioj pa asnjë problem”, tha ai

Haziri ndër të tjera tha se LDK dhe VV padyshim që kanë qasje e mendime të ndryshme, por këto duhet t’i shkrijnë në një vend dhe t’i shkëmbejnë të mirat e njëri-tjetrit./Gazeta Sinjali/