Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar qeverinë Kurti për debatin armiqësor që po zhvillohet sot mes Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Haxhiu ka thënë se nxitja e një debati të tillë nga ana e qeverisë po bëhet me qëllim që të mbulohen skandalet e kësaj udhëheqjeje, në procesin e vaksinimit, çështjeve që kanë të bëjnë me mësimdhënësit e zjarrfikësit.
“Nxitja e një debati të tillë po bëhet me qëllim nga Qeveria Kurti për të mbuluar skandalet dhe dështimin në qeverisje, dështimin në procesin e vaksinimit, dështimin në mbështetje të profesionistëve shëndetësor, policëve,mësimdhënësve e zjarrfikësve”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje ai ka shtuar se tema kryesore sot do të duhej të ishte numri i rasteve të raportuara gjatë ditës së sotme me COVID-19 dhe infektimet e disa fëmijëve me variantin Delta të virusit
“Sot dhe ditët në vazhdim tema kryesore do të duhej të ishte 562 raste pozitive me Covid-19, pastaj edhe rastet e infektimit të disa fëmijëve dhe rastet e reja me virusin Delta të cilat nuk janë identifikuar e raportuar me kohë nga MSH”, ka shtuar ai.