Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka treguar se a do t’ia bëjë partia e tij kuorumin Vetëvendosjes për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente.
Haxhiu në t7 tha se obligimi për zgjedhjen e presidentit të ri i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo për shkak se, sipas tij, nuk duhet të kërkohet llogari nga ai që s’i ka fituar zgjedhjet, por nga fituesi i tyre.
“I kujt është ky obligim, kënd e kanë ngarkuar qytetarët, ne apo VV-në? Qytetarët i kanë jep besim dhe votat VV-së dhe përgjegjësia për qytetarët i takon VV-së. Nuk ka pse të kërkohet llogari tek ai që s’e kanë votuar, llogari duhet kërkuar nga ata që janë votuar”, është shprehur Haxhiu.
E në pyetjen se a do të qëndrojë PDK-ja në Kuvend për t’ia bërë kuorumin VV-së, Haxhiu tha “Çka m’i nejt? A m’ka besu mua qytetari, apo atij?”.
Tutje, ai tha se PDK-ja nuk ka qenë as pro as kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti. Sipas tij, detyra e opozitës është ta rrëzojë qeverinë dhe kjo është arsyeja pse kanë votuar pro rrëzimit të Kurtit.
“Ndoshta zëri ynë nuk ka shkuar deri në fund te qytetarët, rrëzimi i Qeverisë Kurti ka ndodhur për shkak të prishjes së koalicionit LDK-VV. Nëse ata kanë vendosur ta prishin bashkëjetesën, ne as nuk kemi qenë mësit të asaj bashkëjetese, e as nuk jemi përpjekur t’i mbajmë bashkë. Detyra e çdo partie opozitare është ta rrëzojë qeverinë”, shtoi Haxhiu. /Gazeta Sinjali/