image Haxhiu: S'jam organizues i protestës për Trustin, por nesër do të jem aty

Politikë

Haxhiu: S’jam organizues i protestës për Trustin, por nesër do të jem aty

news image

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili e ka shtyrë vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës votimin për tërheqjen e parave nga Trusti pensional për shkak të krizës ekonomike, ka thënë se nuk është organizues i protestës së nesërme.

Haxhiu ka thënë se organizues janë iniciatorët që kanë siguruar nënshkrimet. Megjithatë, ka thënë ai, do të jetë prezent në protestën e nesërme, përderisa nuk ka mundur të tregojë nëse pjesë e protestës do të jenë edhe të tjerë deputetë.

“S’jam organizues i protestës, por do të jem në protestë sepse jam bartës i kësaj iniciative. Nuk e di, është çështje individuale e deputetëve për pjesëmarrje, protesta është thirrur nga iniciatorët që kanë siguruar nënshkrimet. Protesta është e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se çështja e Trustit duhet të sillet në Kuvend për votim më së largu deri më 24 nëntor.

Ai ka thënë se gjasat janë që kjo iniciativë të kalojë.

“Është me rëndësi që në Kuvend të gjithë deputetët e opozitës të jenë prezent dhe ta votojnë. Të gjitha janë pro, edhe disa parti minoritare. Kemi qëndrime edhe të disa deputetëve të VV-së, si z. Humolli, por edhe kalimi i deputetes së VV-së, Doarsa Kica-Xhelili në LDK, i ndihmon kauzës për trustin”, ka thënë ai.

Haxhiu ka argumentuar pro tërheqjes nga Trusti, duke thënë se për shkak të krizës inflacionare, paratë po humben në tregjet ndërkombëtare.

Ai ka thënë se 200 milionë euro janë humbur deri tani, të cilat do të mund të shfrytëzoheshin nga qytetarët kontribuues për nevojat e tyre. 

/GazetaSinjali/