Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se as në takimin e së martës në mes të VV-së dhe LDK-së nuk është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje.
Ajo ka thënë se kjo po ndodh për shkak të insistimit të LDK-së për pozitën e kryeparlamentarit. Sipas saj, kërkesa e LDK-së mbetet e papranueshme për Vetëvendosjen.
“Do të doja që të thosha se marrëveshja është finalizuar, por s’mund ta them një gjë të tillë për faktin se LDK-ja po insiston në propozimin e saj të 8 janarit. Pas kësaj date ne kemi dhënë dy propozime të tjera por që u refuzuan nga LDK-ja, në këto takime që kemi pasur. Sot kemi pasur takim të gjatë edhe me përfaqësues të QUINT-it, por po ashtu kemi pasur pas takimit me QUINT-in edhe një takim mes neve si dy subjekte politike. S’ka marrëveshje pikërisht insistimit të LDK-së për kthim të para datës së 26 dhjetorit. Është e papranueshme për ne. E kemi njoftuar QUINT-in për qëndrimet tona. Kemi parë të arsyeshme t’i takojmë bashkërisht që t’u japim gjendjen e qartë ku kemi mbërri sot. S’mund të them se takimet kanë përfunduar sepse kemi një javë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjen. S’mund të jap garanc se do të bëhet, por do të garantoj për përkushtimin e VV-së që të punojë në këtë drejtim”, ka thënë ajo duke shtuar se nuk shohin asnjë partner tjetër potencial, pos LDK-së.
Ajo ka thënë se është tallje që të dorëhiqet Glauk Konjufca nga posti i kryeparlamentarit.
“Është përmbysje e vullnetit të 75 deputetëve. Është tallje që t’i themi kryeparlamentarit të zgjedhur në mënyrë demokratike hiqu, që të jetë dikush i LDK-së për disa muaj, pastaj ai të hiqet e të vijë dikush tjetër. Kjo është tallje me vendin. Kemi para vetes shumë zgjidhje të tjera, por kjo s’mund të bëhet nëse s’ka vullnet nga LDK-ja”, ka shtuar Haxhiu. /Gazeta Sinjali/