image Haradinaj-Stublla: Serbia të dëgjojë thirrjet e Washingtonit për njohje reciproke

Kosovë

Haradinaj-Stublla: Serbia të dëgjojë thirrjet e Washingtonit për njohje reciproke

news image

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, thotë se është mirë që Serbia të dëgjojë thirrjet e përsëritura të Washingtonit për njohje reciproke, për t’i dhënë paqen e qëndrueshme rajonit dhe për të nisur një kapitull të ri të fqinjësisë së mirë.

Haradinaj-Stublla e ka thënë këtë gjatë takimit me ambasadorin e deritanishëm të Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha. Dinosha është duke e përfunduar misionin e tij diplomatik në Kosovë.

Shefja e diplomacisë kosovare dhe Ambasadori Dinosha diskutuan për situatën aktuale politike e të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për raportet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Duke folur për këto raporte, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se është e rëndësishme ruajtja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë midis dy vendeve përmes vazhdimit të projekteve të përbashkëta ndër-kufitare dhe infrastrukturore, siç është rruga Deçan-Plavë të cilat do t’i japin hov zhvillimit ekonomik lokal dhe lidhjeve ndërkombëtare të rajonit”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, theksohet se u vlerësua se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi mbesin të mira, dhe u potencua roli i komuniteteve respektive në fuqizimin e tyre.

Shefja e diplomacisë kosovare dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për ri-funksionalizimin e Qendrës Zhvillimore të Malit të Zi në Prishtinë, për të cilën u tha se duhet të jetë në shërbim të të gjitha shoqatave të përfaqësimit të Malit të Zi në Kosovë, në të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë. Duke folur për situatën në rajon, Kryediplomatja e Kosovës tha se është mirë që Serbia të dëgjojë thirrjet e përsëritura të Uashingtonit për njohje reciproke, për t’i dhënë paqen e qëndrueshme rajonit dhe për të nisur një kapitull të ri të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. /Gazeta Sinjali/