image Haradinaj-Stublla: Serbia me veprimet e muajve të fundit ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës

Politikë

Haradinaj-Stublla: Serbia me veprimet e muajve të fundit ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të paverifikuara, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo përmes një postimi në Facebook po ashtu u shpreh se Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës.

“Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Washington, ashtu edhe në Bruksel”, shkroi ajo.

Postimi i saj i plotë:
TË SANKSIONOHEN SHKELJET E SERBISË

Ndërhyrja klandestine e Serbisë në Republikën e Kosovës, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të paverifikuara, si dhe administrimi i tyre përmes strukturave paralele në veriun e vendit, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike, të arritur në vitin 2015 në procesin e Dialogut Teknik.

Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Washington, ashtu edhe në Bruksel.

Bashkëpunimi dhe koordinimi urgjent i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës është imperativ për të qenë në krye të detyrës dhe në vigjilencë maksimale në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit tonë. Gjithashtu pres nga Brukseli dhe Washingtoni zyrtar, si ndërmjetës të dialogut, respektivisht garantues të paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, reagim adekuat për shkeljet dhe kërcënimet destabilizuese që Serbia po ua bën marrëveshjeve dhe frymës së normalizimit përmes ndërhyrjeve të pandërprera ilegale në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

/Gazeta Sinjali/