image Haradinaj-Stublla: Një Kosovë e fortë dhe e integruar në NATO është garancë e sigurisë në Evropën Juglindore

Politikë

Haradinaj-Stublla: Një Kosovë e fortë dhe e integruar në NATO është garancë e sigurisë në Evropën Juglindore

news image

Shefja e diplomacisë kosovare në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar një takim zyrtar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin kanë diskutuar të gjitha aspektet e raporteve bilaterale, duke ngritur me prioritet çështjen e qasjes në vaksinën anti-COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook ka thënë se u dakorduan mbi gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak, sidomos për aspiratën legjitime të Kosovës për avancimin e rrugëtimit të saj integrues për në NATO.

“Një Kosovë e fortë dhe e integruar në NATO është garancë e sigurisë në Evropën Juglindore”, shkroi ajo.

Shkrimi i plotë i saj:

Një Kosovë e fortë dhe e integruar në NATO është garancë e sigurisë në Evropën Juglindore.

Kosova është mirënjohëse për mbështetjen shumëdimensionale e të pandërprerë të Turqisë , veçanërisht në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Në takimin zyrtar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z.Mevlüt Çavuşoğlu diskutuam të gjitha aspektet e raporteve tona bilaterale, duke ngritur me prioritet çështjen e qasjes në vaksinën anti-COVID19, ku morëm mbështetjen për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.

Në kuadër të diskutimit për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, kërkova përkrahjen e mëtejme të Turqisë në përmbylljen e njohjes universale të Republikës së Kosovës, si anëtare me të drejta dhe përgjegjësi të plota në shoqërinë ndërkombëtare. U sigurova nga Ministri Çavuşoğlu se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e plotë për Kosovën në këtë aspekt.

U dakorduam mbi gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak, sidomos për aspiratën legjitime të Kosovës për avancimin e rrugëtimit të saj integrues për në NATO, duke përmbyllur kështu arkitekturën e sigurisë në brezin e Adriatikut. Gjithashtu diskutuam për nevojën e rritjes së aktivitetit ekonomik midis dy shteteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar. Ministri Çavuşoğlu u shpreh se në këtë kuadër do të rriten investimet turke në Kosovë si edhe do të mundësohen kushtet për rritjen e eksportit kosovar drejt Turqisë.

E sigurova homologun se një Kosovë e fortë brenda, e integruar në NATO dhe e njohur ndërkombëtarisht është garancë e fortë e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

/Gazeta Sinjali/