image Haradinaj-Stublla kërkon përmbylljen e procesit të njohjes së patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë

Kosovë

Haradinaj-Stublla kërkon përmbylljen e procesit të njohjes së patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë

news image

Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla është takuar sot në Berlin me drejtorin e së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit dhe Digjitalizimit në qeverinë e Gjermanisë, Guido Zielke me të cilin ka biseduar mbi procesin e avancimit të bisedimeve rreth njohjes së patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Haradinaj- Stublla me këtë rast theksoi nevojën që ky proces të përmbyllet sa më shpejt ngase siç tha ajo janë me mijëra shqiptarë nga Kosova të cilët janë futur në tregun e punës në Gjermani dhe nuk kanë të drejtë të përkthejnë patentë- shoferët e tyre.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të zbatojë rekomandimet e qeverisë së Gjermanisë në mënyrë që kjo marrëveshje të përmbyllet sa më shpejt.

Nga ana e tij, drejtori i së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit të Gjermanisë, Guido Zielke është shprehur optimist se ky proces do të përmbyllet së shpejti.

Ai tha se pas vizitës që kishte realizuar delegacioni gjerman në muajin shkurt, priste që njohja reciproke e patentë-shoferëve të mbyllej qysh këtë vit, porse rrethanat pandemike kanë bërë të pamundur takimin e ekspertëve të të dyja vendeve. /Gazeta Sinjali/