image Haradinaj – Stublla flet në telefon me ministrin turk, nuk tregon se çfarë i tha ai për njohjen nga Izraeli

Politikë

Haradinaj – Stublla flet në telefon me ministrin turk, nuk tregon se çfarë i tha ai për njohjen nga Izraeli

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, njoftoi se ka biseduar përmes telefonit me homologun e saj truk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Me këtë rast, shefja e diplomacisë kosovare thotë se i ka shprehur ministrit turk mirënjohje për përkrahjen që shteti i tij i jep Kosovës në vazhdimësi, si dhe gatishmërinë për të vazhduar këtë bashkëpunim.

Haradinaj – Stublla njofton t’ia ketë theksuar homologut të saj se Kosova është e përkushtuar që njohjet ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës, por nuk ka treguar se çfarë i ka thënë Çavuşoğlu lidhur me njohjen e fundit që i erdhi Kosovës nga Izraeli.

“Theksova se ne si shtet i ri, jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me miqtë tanë me të cilët kemi të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe raporte të pathyeshme. Në po këtë kontekst, rikonfirmova se marrëdhënia e ngushtë bashkëpunuese me Turqinë është e shkëlqyeshme, dhe avancimi i interesave tona të përbashkëta do të bëhet në drejtim të forcimit të ndërsjellë”, ka shkruar ndër të tjera kryediplomatja në Facebook.

Kujtojmë që Ambasada e Turqisë në Kosovë, përmes një njoftimi të bërë në rrjetin social Facebook më 6 shtator, e kishte shprehur kundërshtimin e shtetit turk rreth hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e quajtur një hap zhgënjyes dhe shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

 “Nga postimet në mediat sociale të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit Hoti dhe ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një ambasadë në Jerusalem. Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e kësaj ambasade.

Turqia, vazhdonte njoftimi, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim.

“Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB-së që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, thuhej në njoftim.

Njohja nga Izraeli dhe marrëveshja për hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, Kosovës i erdhi “dhuratë” me marrëveshjen për “normalizimin ekonomik” të nënshkruar me Serbinë, më 4 shtator në Washington./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/tcpristinebe/posts/2826898374077504
https://www.facebook.com/melizaharadinajstublla/photos/a.128220942257307/159461162466618/?type=3&theater