Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka shprehur qëndrimet e AAK-së në seancën e sotme të Kuvendit ku kryeministri Avdullah Hoti po raporton për dialogun me Serbinë.
Haradinaj ka thënë se është kërkesë e AAK-së që në proces të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se pa SHBA-në edhe po të arrihet marrëveshja, është vështirë e implementueshme.
“Dialogu në Bruksel nuk ka prodhu asnjë të mirë pa prezencë të SHBA-së. Nuk guxon të rrëshqitet në dialog teknik, sepse dialogu teknik i hap Serbisë dyert e integrimeve. Një marrëveshje pa SHBA, zor që është e zbatueshme. Asnjë keqkuptim në bashkëqeverisje nuk e kemi, por është kërkesë eksplicite që SHBA të jetë në negociata”, ka thënë ai.
Haradinaj tutje ka drejtuar kritika të ashpra drejt BE-së. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian e ka mashtruar Kosovën për 10 vjet.
“BE tash e 10 vjet e ka mashtru Kosovën me liberalizim të vizave. Nuk kemi çka me lypë në Bruksel, as te Borelli as te dikush tjetër, pa i heq vizat. Nuk guxojmë të ndjehemi inferiorë dhe as kokulur përball Serbisë”, tha ai.
Presidenti Hashim Thaçi, pas takimit të sotëm me kryeministrin Avdullah Hoti, tha se e di që nuk ka marrëveshje me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse procesin e dialgout nuk e udhëheq SHBA-ja. /Gazeta Sinjali