Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerëson se do të ishte gabim nëse Qeveria e Kosovës tërhiqet nga vendimi për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat e automjeteve.
Sipas tij, Qeveria Kurti është treguar e kujdesshme dhe i ka ndihmuar Serbisë në aspektin ekonomik.
“Kjo qeveri është mjaft e kujdesshme në marrëdhëniet me Serbinë, e ka ndihmuar Serbinë në aspektin ekonomik, nga heqja e taksës, pastaj taksës mbrojtëse për bllokat. Këto janë shumë dëshmi që flasin se Qeveria e tashme ka qenë e mirëkuptueshme ndaj Serbisë”.
Madje, ai thotë se Kurti i ka “përkëdhelur” banorët serbë në veri, duke ua paguar borxhin e energjisë elektrike.
“Kjo e ka mbërri kulmin te pagesa e rrymës – dy herë nga 11 milionë. Mendoj se i ka përkëdhel me kujdes serbët e veriut dhe Serbinë. Veprimet e sotme janë pasojë e dakordimeve të mëhershme, janë vazhdim i dakordimeve të mëhershme”, ka thënë Haradinaj në KlanKosova.
Ai tha se Qeveria Kurti nuk duhet të heqë dorë nga vendimi i sotëm dhe se ky vendim ka qenë thjesht zbatim i ligjit.
Haradinaj ka theksuar se nga vendimi i sotëm nuk mund të hiqet dorë.
“Duhet treguar se zbatimi i ligjit është i pakompromis dhe pa kthim prapa. Nuk mendoj se qeveria do të marrë veprime destabilizuese, e ka zbatuar ligjin. Thirrja e Ambasadës së SHBA-së është mjaft e sinqertë, që të ulen tensionet. Nuk i kërkon moszbatimin e ligjit”.
“Qeveria nuk ka ngritur tensione, por ka zbatuar ligjin”./Gazeta Sinjali/