image Haradinaj në SHBA për sigurinë: Kosova s’ka rënë pre e Kinës e Rusisë

Kosovë

Vizitë/ Haradinaj në SHBA për sigurinë: Kosova s’ka rënë pre e Kinës e Rusisë

news image

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në SHBA në një vizitë zyrtare, ka marrë pjesë në Senatin Amerikan, gjegjësisht në forumin e organizuar nga Senatori Inhofe, Kryesues i Komitetit për Shërbimet e Armatosura dhe Gjenerali Jim Jones, rreth temës së kërcënimeve ndaj sigurisë duke e përfshi edhe atë kibernetike.

Në një njoftim të publikuar në faqen e tij në Facebook, Haradinaj thotë se në këtë forum, mes senatorëve dhe kongresistëve të SHBA-së si dhe udhëheqësve nga Evropa Juglindore, “diskutuam për nevojën e ngritjes së kapaciteteve për të qenë më të fortë në mbrojtje nga kërcënimet e sigurisë dhe influencës se Kinës dhe Rusisë në sistemet e telekomunikimit”.

“Siguria vjen e para! Kosova nuk ka rënë pre e kësaj influence pasi ka refuzuar investimet kineze dhe ruse e veçanërisht ka refuzuar kompanitë kineze në fushën e telekomunikimit dhe 5G”, ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.

Ish-kryeministri Haradinaj thotë se Kosova me krenari është rreshtuar në krah të SHBA-së dhe partnerëve të saj dhe ky qëndrim i qartë forcon partneritetin dhe miqësinë./Gazeta Sinjali/