Njerëzit të cilët kanë ankthe, çrregullime me gjumin dhe përballen me frikë nga infektimi i mundshëm me Covid-19, tani e kanë një adresë ku mund të drejtohen.
Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë ka hapur një qendër të thirrjeve me qëllim që t’i dalë në ndihmë qytetarëve të gjejnë mënyrën më të lehtë të ballafaqimit me problemet në këtë kohë pandemie. Qendra, në të cilën tashmë kanë filluar thirrjet, është e hapur çdo ditë pune për të dhënë rekomandime, nga ora 08:00 deri në 16:00 në numrin pa pagesë 0800-88881.
Qeveria në detyrë e Kosovës tashmë ka bërë të ditur vendimin me masat e reja që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve, ku brenda 24 orëve ata kanë të drejtë të dalin blerje dhe kryerje të shërbimeve të tjera vetëm një herë në ditë dhe atë për një periudhë kohore prej një orë e gjysmë.
Vendi ndodhet në një gjendje alarmi në luf tën kundër Covid-19, dhe ekspertë të shëndetit mendor konsiderojnë ‘normale’ pasojat në shëndetin mendor.
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, neuropsikiatri Sami Rexhepi, tha se në këtë periudhë punëtorët e shëndetit mendor kanë marrë thirrje të shumta nga qytetarët rreth përballimit të gjendjes.
Ai thotë se e kanë konsideruar të nevojshme hapjen e një qendre të thirrjeve, ku do të pranojnë shqetësimet e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të atyre që marrin terapinë në këtë qendër.
Qendra e Thirrjeve është vënë në dispozicion të qytetarëve dje gjatë ditës, ku ka pasur gjashtë thirrje, dy prej të cilave kanë qenë për këshilla për terapi ndërsa të tjera për çrregullime të gjumit apo frikë të theksuar.
Rexhepi bën të ditur se thirrjet janë tërësisht konfidenciale dhe vetëm për përdorim të brendshëm.
“Kjo qendër e thirrjeve funksionon prej orës 08:00 deri në 16:00 çdo ditë pune, ku pranojmë thirrje. Nuk po pretendojmë se po ofrojmë ndonjë psikoterapi përmes telefonatave, por roli ynë është që të u ndihmojmë qytetarëve që të gjejnë mënyrën më të lehtë të ballafaqimit me problemet të cilat i hasin, sa i përket aspektit të shëndetit mendor, qoftë ndonjë ankth, krizë emocionale, çrregullim i gjumit, çrregullime obsesive-impulsive tash për shkak të pastrimit të duarve fillojnë me qenë më shumë të theksuara. Qendra e thirrjeve është në dispozicion për çdo lloj këshille që ka të bëjë me mirëqenien e shëndetit mendor,” tha Rexhepi për Kp.
Institucionet e Kosovës vazhdimisht po u kërkojnë qytetarëve që të marrin seriozisht rekomandimet e institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, me thirrjen “Rri në shtëpi”. Por, Rexhepi u thotë qytetarëve “Kënaquni në shtëpi”, dhe shfrytëzoni këtë periudhë për gjëra pozitive.
Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë se pasi të përfundojë pandemia, do të ketë ballafaqim me probleme në sferën e shëndetit mendor, që sipas tij, është krejt normale në situata të tilla.
“Pasi të kryhet, do të ballafaqohemi me probleme sa i përket sferës së shëndetit mendor, qëllimi ynë që t’i zbusim, t’u paraprijmë atyre dhe pastaj kanë më qenë më të zbehta pasqyrat e çrregullimeve të mundshme”, tha ai.
Ai bën të ditur se pas kërkesës së Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë për të hapur qendrën e thirrjeve, Posta e Kosovës e ka përkrahur atë teknikisht duke i mundësuar telefonat dhe numrat për thirrje pa pagesë./ Gazeta Sinjali/