Gazeta Sinjali ka raportuar dje për një fëmijë në klasë të pestë të shkollës fillore “Trepça”, në Banjë të Pejës i cili dyshohet se u rrah dhe u gjuajt me gurë në sy nga një shok i klasës. Për Sinjalin në lidhje me këtë rast foli Policia, nëna e viktimës dhe drejtori i shkollës.
Mirëpo, sot zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se dje nëna e viktimës dyshohet që e ka sulmuar fizikisht nxënësin i cili ia sulmoi djalin me gurë në sy.
Gashi i tha Sinjalit se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar dhe rasti është inicuar si “sulm”.
Nëna e viktimës dje ka dërguar pamje në adresë të Sinjalit, ku shihet se nuk e gjeti drejtorin e shkollës në zyrë, e as arsimtarët në sallë, për ta lajmëruar rastin, ndërsa djalin e dërgoi në spital.
Në video shihet se si nëna e nxënësit 10-vjeçar e gjen të mbyllur zyrën e drejtorit të shkollës, Nexhmedin Beqiraj, ndërsa në sallën e mësimdhënësve nuk e gjen askënd.
“Ni herë e ka rre djalin në klasë, ka pritë, tani si ka dalë jashtë i ka ra guri. Ia kanë dëmtu djalit tem syrit. Rastin e kam denoncuar në Polici, As nuk ka drejtor të shkollës, as kurrgjë. Fëmija vrahet, nuk ka kërkush që jep përgjegjësi pse edhe qysh u lëndu fëmija. As sekretareshë, as drejtor, as kurgjo s’ka. Shkolla thatë. Drejtori ka shku në Istog”, tha ajo.
“Që tri herë kom problem me të njëjtin person. E kom falë dy herë, po ma e ka tepru, ia ka lëndu syrin”, tha ajo tutje për Sinjalin.
Nga Policia dje thanë për Sinjalin se rasti kishte ndodhur në shkollë, mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar drejtori i shkollës Nexhmedin Beqiraj.
“Nxënësi i cili ka sulmuar shokun e klasës e kishte përfunduar mësimin. Kur kanë dalë jashtë oborrit të shkollës, ata janë konfrontu, janë ngacmu mes veti. I kemi shiku kamerat bashkë me Policinë, por nuk është pa të ketë ndodhur përleshja brenda oborrit të shkollës. Si rrjedhojë ne nuk mund të marrim përgjegjësi se çka ndodh jashtë hapësirave të shkollës“, tha Beqiraj për Sinjalin.