Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Një numër i madh i këtyre rasteve përcillen edhe me sulme e dhunë. Kështu ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Afrim Zhitija” në Prishtinë, ku viktimë është një grua 31-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima po priste autobusin në rrugë në momentin që është përballur me një person i cili me anë të dhunës ka shtyrë dhe ka goditur 31-vjeçaren të cilës i ka marrë varësen nga qafa.
Ajo ka denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka bërë të ditur se vlera e dëmit material që ia shkaktoi hajni i cili ia mori lirën me gjithë zinxhir, është mbi 1 mijë euro.
Njësitë policore kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin e personit të dyshuar, mirëpo momentalisht ai ende nuk është kapur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje grabitqare’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të arrestohet i dyshuari.