image "Hajnat, kapësit e shtetit janë në panik"/ Njeriu që iu gëzua hapur fitores së VV-së, emërohet sekretar i KEK-ut

Politikë

“Hajnat, kapësit e shtetit janë në panik”/ Njeriu që iu gëzua hapur fitores së VV-së, emërohet sekretar i KEK-ut

news image

Korporata Energjetike e Kosovës ka emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm Riza Dembogaj, i cili edhe gjatë Qeverisë Kurti 1 ishte emëruar ushtrues detyre i kësaj pozite dhe shihej si i afërt me partinë në pushtet, raporton Gazeta Sinjali.

Dembogaj simpatinë për Lëvizjen Vetëvendosje e kishte shprehur hapur përmes postimeve në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook. Ditën që u votua Qeveria Kurti 1 ai kishte bërë një postim, ku thoshte se “Efekti i qeverisë së re qysh në ditën e parë. Hajnat, abuzuesit e parasë publike, kapësit e shtetit dhe shkelësit e ligjit janë në panik”.

image 445

Por zgjedhja e tij po konsiderohet se është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi thuhet se KEK-u ka shkelur udhëzimet administrative për punësimin në sektorin publik.

KEK kishte shpallur konkurs për këtë pozitën këshilltar i përgjithshëm/sekretar i Korporatës më 30 gusht 2022 me numër 5123 dhe me afat të konkursit deri me 20 shtator 2022.

Burimet nga Sinjali tregojnë se nga përfundimi i konkursit, aplikuesit nuk ishin njoftuar me procedurat e mëtutjeshme duke shkelur udhëzimin administrativ për rregullimin e procedurave në sektorin publik 07/2017.

Sipas burimeve, KEK-u ka vazhduar me shkelje procedurale dhe më pas kishte shpallur konkurs të njëjtë përsëri me datë 12 tetor 2022 me numër 6134, pa anuluar konkursin paraprak dhe pa dhënë asnjë arsyetim te kandidatët që kishin aplikuar.

Të njëjtat burime thonë se krejt kjo shkelje është bërë me qëllim që në karrigen e sekretarit të vendosej Dembogaj, i cili kishte shijuar për disa ditë këtë pozitë si ushtrues i detyrës.

Në njoftimin e KEK-ut dërguar kandidatëve thuhet se procedura ka qenë transparente dhe ka qenë në mbikëqyrje të organizatës GAP, INDEP GLPS.

Burime brenda Komisionit kanë treguar se njëri nga kandidatët kishte shkuar në intervistë, por nuk ka pranuar të intervistohet për shkak të shkeljes së procedurave ligjore si dhe me arsyetimin se KEK-u kishte dërguar të kopjuar udhëzuesin për intervistë. Udhëzuesi ka qenë i njëjti për kandidatë të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike (KEK) dhe se detyrat e përgjegjësitë e sekretarit dallojnë nga detyra e Bordit të Drejtorëve.

Sipas burimeve të Sinjalit, Bordi i Drejtorëve, kishte kërkuar nga kandidatët që në afat prej 7 minutash të tregojnë për 3 sfidat që përballet KEK-u dhe si të zgjidhen ato, në kundërshtim me detyrat e sekretarit.

Në vendimin e lëshuar nga Bordi i Drejtoreve të KEK-ut të cilën e ka siguruar Sinjali kandidatët për interviste kanë qenë: Shqiprim Pula me 18 pikë, Blerim Bala –, Riza Dembogaj 20.75 pikë dhe Erza Tullumi 11.25.

Vendimin e Komisionit siç edhe shihet në njoftim, nuk e ka nënshkruar anëtari Valdrin Krasniqi, ndërsa kanë nënshkruar anëtarët tjerë Skender Haziri, Valbona Raifi, Nagip Krasniqi dhe Mustaf Pllana.

Nga ana tjetër Skënder Bucolli nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka kthyer përgjigjet nga Bordi i KEK-ut për Gazetën Sinjali.

Në përgjigje të Bordit thuhet se përzgjedhja e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes bëhet konform Ligjit për Ndërmarrjet Publike, (03/L087). Ky ligj, në nenin 21.3, qartëson “Secila NP do të ketë këta katër zyrtarë në vijim: (i) Kryeshefin Ekzekutiv, (ii) Zyrtarin Kryesor Financiar dhe të Thesarit, (iii) Këshilltarin e Përgjithshëm/Sekretarin e Korporatës (të cilit i referoheni edhe ju) dhe (iv) një Zyrtar për Auditim të Brendshëm.

“Duke qenë se emërimi dhe shkarkimi i këtyre zyrtarëve është kompetencë e Bordit të Drejtorëve sipas këtij ligji, ai ka vepruar në pajtim të plotë me këtë ligj. Ky ligj parasheh edhe kërkesat profesionale dhe kualifikimet për këto pozita. Për më tepër, e njëjta procedurë është zhvilluar edhe me rastin e përzgjedhjes së  zyrtarëve të tjerë të lartë”, thuhet në përgjigjen e Bordit të KEK-ut.

Më tej në përgjigjen thuhet se Bordi ka zhvilluar një proces transparent të monitoruar edhe nga grupi I OJQ-ve; GAP, GLPS dhe INDEP (partner të projektit Britanik), dhe si rezultat është përzgjedhur kandidati i poentuar më së larti.

/GazetaSinjali/